Friday, July 1, 2011

Recension mbi nje koncert te mbajtur nga stina koncertore e AA


Koncertet me krijimtari të studentëve në
Stinën Koncertore të Pranverës në AA
(recension koncerti)

Stina Koncertore e Pranverës, si pjesë e rëndësishme e traditës të formuar që prej tre vitesh në Fakultetin e Muzikës së AA për planifikimin e aktivitetit koncertor vjetor të studentëve, shtrihet në një hark kohor prej katër muajsh, Mars-Qershor. Këtë pranverë, ky sezon artistik përmbante një kalendar prej 27 koncertesh të formateve të ndryshme, instrumentale, dhome, sinfonike, duke u mbyllur së fundi me vënien në skenë të një opere. Midis 27 koncerteve të planifikuara, bëjnë pjesë edhe 3 koncerte me vepra të studentëve kompozitorë.
Koncertet me vepra të klasës së kompozicionit kanë një traditë të hershme në Akademinë e Arteve, e cila nis që prej viteve ’70, kur Akademia e sotme quhej Instituti i Lartë i Arteve. Deri në vitin 1990 koncertet me krijimtari të studentëve kompozitorë cilat janë mbajtur në mënyrë të rregullt, duke paraqiur në skenë punimet më të mira vjetore. Mbas vitit ’90 kjo traditë e rëndësishme që kishte krijuar Fakulteti i Muzikës u ndërpre për disa vite me radhë. Për ta mbushur këtë boshllëk, organizatorët e Festivalit Muzika e Re Shqiptare (të shoqatës së Muzikës së Re Shqiptare), i cili nisi në vitin 1993, me kohë përfshinë në programin e Festivalit edhe një konkurs të kompozitorëve të rinj. Konkursi u mbajt vetëm tre vjet, duke përfshirë brenda vetes edhe vepra të studentëve të kompozicionit të FM. Gjithësesi, ky aktivitet nuk zhvillohej në kuadrin e punës së fakultetit, por përmes veprimtarisë së një shoqate të pavarur. Për këtë arsye, me kalimin e viteve, ideja e rindërtimit të koncerteve të studentëve kompozitorë filloi të preokuptonte drejtuesit dhe pedagogët e FM, për t’iu rikthyer sërish përvojes së mirë të trasheguar. Qëllimi padyshim ishte që t’ju ofronte mundësinë studentëve të kompozicionit për të nxjerrë në skenë për çdo vit punimet e tyre. Këtë iniciative e mori së pari pedagogu Nestor Kraja, duke qënë për dy vjet me rradhë vetë organizator i koncerteve. Por edhe kjo mbeti ende një iniciativë private, e paplanifikuar prej fakultetit. Kjo situatë u tejkalua në vitin 2007, kur koncertet me krijimtari të studentëve kompozitorë u programuan si veprimtari e përvitshme dhe u bënë pjesë e kalendarit të Stinës Koncertore të Akademisë së Arteve (FM).
Në këtë rrafsh të gjatë kohor (1970-2000), koncertet me krijimtari të studentëve njohën zhvillim nga njëra periudhë në tjetrën, sidomos përsa i takon numrit të tyre. Nga një deri në dy koncerte që mbaheshin më parë, në sezonin koncertor të pranverës të këtij viti klasa e kompozicionit arriti të realizonte tre koncerte me vepra të studentëve, duke i përcaktuar tipet e koncerteve sipas formave e gjinive: instrumentale, dhome dhe sinfonike. Kjo kështu u dha mundësi studentëve për një pjesëmarrje më të gjerë, si edhe të paraqitjes së tyre me punime të formave të ndryshme, të shkruara për formacione dhe instrumenta të ndryshëm. Konkretisht, koncertet e programuara dhe të mbajtura gjatë sezonit koncertor të pranverës së vitit 2010, janë
1.      Koncert me vepra instrumentale, dt. 3. 03. 2010
2.      Koncert me muzik dhome, dt. 07. 04. 2010
3.      Koncert me vepra të formacionit sinfonik, dt.12. 05. 2010
Njëkohësisht me përtëritjen e aktivitetit koncertor me krijimtari të satudentëve kompozitorë, FM iu rikthye edhe një here traditës së mbajtjes së diskutimeve prej studentëve muzikologë për veprat e paraqitura në skenë. Kështu, këtë vit, përkatësisht me tre koncertet e mbajtura, ishin projektuar dhe u zhvilluan edhe tre tryeza të rrumbullakta me pjesëmarrjen e studentëve të klases së muzikologjisë dhe të kompozicionit. Në këtë mënyrë mund të themi se aktiviteti i sivjetëm arriti të përfshinte një pjesëmarrje shumë më të gjerë studentore: kompozitorë, instrumentistë, këngëtarë, orkestër sinfonike, muzikologë.

Programi i koncertit të parë me krijimtari të studentëve:
Eno Shori, Scherzo dhe Con dolore për piano, int. lekt. Laura Kushta
Erion Alushaj, Pjesë për violin dhe piano, int. lekt. Ina Kosturi, violin, lekt. Elvis Peçi, piano
Kristaq Koci Piece, int.Herta Cane, piano
Klodian Metaj, Fantazi dhe Scherzo, int. lekt. Silvana Skenderi, piano
Erdi Guma, Arabeska, Improvizato, Po të këndoj një këngë të re, përpunim për zë dhe piano,
 int. lekt. Luara Kushta, piano, Ledi Paparisto, soprano
Olti Damo, Scherzo, Invention int. Onelda Shaqiri, piano
Kreshnik Duqi, Endërr, romancë për soprano e piano, int. Semine Sulozeqo, soprano, lekt. Elvis Peçi piano
Erald Hasmadhi, Prelud në stil polifonik, int. Herta Cane, piano
Fation Tome, Funebra, Ostinato, Zborë moj zborë, int. Ledi Paparisto, soprano, lekt. Laura Kushta, Fatma Spahiu, piano
 

Koncerit i parë u hap me dy miniatura pianistike të studentit të kursit II Eno Shori në klasën e Prof. Sokol Shupos, të titulluara Scherzo dhe Con dolore. Menjëherë bije në sy se skerco mban formën tradicionale (tripjesësh i përbërë), por ndërtohet me një gjuhë muzikore jotradicionale. Vepra ka një gjuhë harmonike atonale, me me bizotërim të sekundave mazhore dhe kuartave të zmadhuara të përdorura në hapësira përmbi oktavë. Në raste të caktuara plani kromatizmik i veprës paraqitej tepër i theksuar. I njëjti princip, i shfrytëzimit të shkrimit atonal Brenda forms tradicionale, karakterizon edhe veprën e dytë të studentit E. Shori, Con dolore.
 Një tejtër student kompozitor i kursit III që spikati, ishte Erald Hasmadhi student në klasen e Prof. Pellumb Vorpsit, me Preludin në stil polifonik. Preludi ndërtohet në formën tradicionale dypjesëshe me reprizë dhe, siç kuptohet prej titullit, është shkruar sipas modeleve të formave polifonike barok. Por ajo që ngjall interes është ndërthurrja e stilit klasik borok me një gjuhë harmonike bashkëkohore, e cila nuk ka të bëjë me harmoninë e përdorur në epokën në fjalë. Shkurtimisht përmendim se karakteristika harmonike e pjesës ishte ndërrimi i vazhdueshëm i tonaliteteve, kthesat e vazhdueshme eliptike etj.
Nga programi i këtij koncerti mund të veçohen edhe dy miniatura për piano të titulluara Funebra dhe Ostinato, si dhe një përpunim për zë dhe dy piano Zborë moj Zborë, të studentit të klasës së Prof. Sokol Shupos, Fation Tome. Miniatura e parë, Funebra, është e ndërtuar me një gjuhë atonale, e bazuar kryesisht mbi intervalin e septimës. Disa elemente karakteristik të pjesës janë loja e regjistrave dhe kalimet e shpeshta nga ritmi binar në trinar. Ndërsa te miniatura e dytë, Ostinato, gjithashtu atonale, elementi karakteristik është pedali në Fa# i mbajtur nga fillimi deri në fund të pjesës. Ndryshe nga këto dy punime, te përpunimi për zë dhe dy piano Zborë moj zborë, Fatjon Toma i largohet praktikës së shkrimit atonal, për t’iu kthyer punës me modin: linja melodike vokale zhvillohet e tëra mbi kombinimin e tingujve modal.
Koncerti i dytë, me muzikë dhome, ndryshe nga i pari, përmbante vepra me kërkesa më profesionle si në pikëpamje të formës, ashtu edhe të përbërjes instrumentale. Për këtë arsye, autorët protagonistë të këtij koncerti ishin kryesisht studentë të kursit III dhe IV.
 Programi i koncertit të dytë me krijimtari të studentëve:
Ergys Pirani, Kur ja nisen t’paës lojë, korale
Hamit Skilja, Kuartet harqesh
Marian Deda, Variacionet e kohës, temë me variacione
Alban Dhamo, Temë me variacione për violinë, violë, çello dhe piano
Indrit Lelo, Rekuem për Aurorën, korale
Gerti Druga, Variacione mbi një temë të John Williams, Harry Potter, transkiptim për kuartet harqesh

Prej programit të mësipërm po veçojmë disa nga veprat që spikatën më shumë për realizimin e tyre. Një ndër to ishte edhe Variacionet e kohës të studentit të klases së Prof. Aleksander Peçit, Marian Deda. Në tërësi, pjesa përmbante pesë variacione, çdonjëri prej të cilëve i lidhur me një pjesë të ditës. Vepra është e ndërtuar në një gjuhë muzikore jotradicionele (të gjitha variacionet janë të mbështetura në 11 tone) dhe po kaq karakteristike ishte dhe teknika jotradicionale e lojës së instrumenteve.
Një përshtypje të mire në koncert la edhe vepra e një student tjetër të klasës së Prof. A. Peçit, Tema me variacione, për violinë, violë, çello dhe piano, e studentit Alban Dhamo. Gjithashtu bëhet fjalë për një shkrim atonal, në këtë rast duke u mbështetur në tre intervale kryesore, në intervalin e nonës, septimës dhe sekundës.
Nga përbërja e programit të koncertit të dytë veçojmë edhe veprën e studentit të vitit IV Hamit Skilja, klasa e ped. Nestor Krajës. Jemi përsëri në fushën e atonalizmit dhe të një përdorimi interesant të lojës instrumentale, të ndërthurrur në linja të pavarura polifonike.
Koncerti i tretë dhe i fundit, duke iu kushtuar vetëm muzikës sinfonike, përmbante kryesisht vepra të studentëve të vitit IV, me përjashtim të një student të vitit III, Marian Dedës. Nisur nga vështirësitë që paraqet shkrimi orkestral dhe format më të zhvilluara muzikore, mendojmë se koncerti arriti të dëshmonte punën serioze që zhvilloht në katedrën e kompozicionit dhe ecurinë e studentëve gjatë katër viteve të studimit. Të gjitha veprat e paraqitura në këtë koncert ishin kohë (numra) të nxjerra prej suitave me program.
Programi i koncertit të tretë me krijimtari të studentëve:
Ergys Pirani, Suitë sinfonike, koha III - Udhëtim në kozmos
Marian Deda, Suitë sinfonike, koha I – Ngrohja globale
Olsa Toqi, Suitë sinfonike, koha III – Plakja
Kreshnik Duqi, Suitë sinfonike, koha I – Tabllo në blu
Alban Dhamo, Suitë sinfonike, koha II – Vallja e nimfave  
Gerti Druga, Suitë sinfonike, koha II- Mbi një temë të muzikës së Jonh Williams

Numri i parë i koncertit, koha III e suitës Udhëtim në kozmos e studentit të klases së Ped. Nestor Kraja, Ergys Piranit, përshkruan një pjesë të rrugës së një anije kozmike në hapësirë. Në krijimin e këtij numri studenti është mbeshtetur kryesisht tek shkalla me tone të plota, por në raste të veçanta duke përdour edhe akorde tonale. Një faktor i rëndësishëm për përshkrimin e subjektit është përdorimi i një teknike të veçant në lojën e instrumenteve, të cilët, në linja të ndrysheme, shfytëzoheshin për nxjerrejn e tingujve natyrorë. 
E vetmja studente kompozitore pjesëmarrëse në këtë koncert qe Olsa Toqi, studente në klasen e Prof. Endri Sinës. Ajo u paraqit me kohën III Plakja, të suitës katërkohëshe në punim Periudhat e jetës. Koha që dëgjuam në koncert ndahej në dy pjesë, të cilat kishin një dallim të qartë prej njëra-tjetrës. Ndërsa në pjesën e parë, ku përshkruhet një njeri i plakur që kujton me nastalgji jetën e tij ndër vite përdoret një gjuhë harmonike modale, në pjesën e dytë, përmbajtja e së cilës lidhet me gjendjen e një njeriu të plakur, autorja i kthehet bazës harmonike tonale.
Midis veprave të koncertit me muzikë sinfonike të studentëve kompozitorë, mund të veçohet edhe koha I e suitës të titulluar Antarctis, të Marian Deda, klasa e Prof. Aleksandër Peçit. Në këtë pjesë përshkruhet gjendja e kontinentit të Antarktidës si një territor i akullt, i pabanueshëm nga njeriu, gjendje të cilën studenti e përshkruan përmes përdorimit të teknikave të tilla muzikore si serializmi, dodekafonia dhe poliritmia, si edhe me anë të krijimit të efekteve të veçanta tingullore.     

Çfarë doli prej diskutimeve në tryezat e rrumbullakta?
Siç edhe ishte planifikuar, të tre koncertet me krijimtari të studentëve u shoqëruan prej diskutimeve përkatëse në tryeza të rrumbullakta me pjesëmarrjen e studentëve të klasës së muzikologjisë. Këto diskutime, krahas parashtrimit të mendimeve mbi realizimin e veprave, zgjuan shpesh herë polemika, rrahje mendimesh, të cilat ishin të vlefshme për krijimn e një përvoje të mirë brendashkollore për ballafaqimin e punës krijuese me mendimin teorik. Në diskutimin rreth veprave të koncertit të parë, në tryezën kompozitor-muzikolog u kritikua pjesa e studentit Erdi Guma, e titulluar Po të këndoj një këngë të re. Vërejtja kryesore ishte mungesa e një lidhjeje të mirë midis melodisë dhe harmionisë. Ndërsa ekzekutimi i kësaj pjesë nga dy pianistet Laura Kushta, Fatma Spahiu dhe soprano Ledi Paparsito u vlerësua pozitivisht. Përgjithësisht, për koncertin e parë pati vërejtje të theksuara në lidhje me dobësitë e interpretimit.
Në lidhje me koncertin e dytë mund të thuhet se diskutimi nuk ia arriti qëllimit. Më shumë se një tryezë e shkëmbimit të mendimeve dhe ideve midis studentëve, ky diskutim u përqendrua kryesisht midis pedagogëve.
Ndërsa për koncertin e tretë, studentet muzikolog dhanë më shumë një informacion të përgjithshëm dhe jo një analizë të mirfilltë të veprave. Nga një pjesë e studentëve dhe pedagogëve pjesëmarrës u drejtuan kritika sidomos për krijimin e studentit Gerti Druga që, megjithëse u duartrokit më shumë se veprat e tjera të atij koncerti, u cilësua si një vepër për publikun dhe jo si një përpjekje për arritjen e disa standarteve të punës kompozicionale. 

1 comment:

  1. te gjitha te drejtata jane te rezervauara nga autori. thanks

    ReplyDelete