Friday, July 1, 2011

Disa vecori mbi ritualin e dasmes Mirditore


                    Dasmat   Mirditore

Të flasësh për traditat, zakonet, doket shqiptare nuk është aspak e lehtë, pasi kjo trashëgimi mijëravjeçare e krijuar prej popullit shqiptar është jashtëzakonisht e pasur dhe e larmishme. Nga pikëpmaja etnografike, Shqipëria, me të gjitha trevat e saj, nënkupto edhe ato që sot ndodhen jashtë kufinjve shtetëror, përfigurohet në dy zona të mëdha, kufiri ndarës i të cilave është lumi Shkumbin. Siç dihet, sipër tij është përcaktuar zona etnografike gege dhe poshtë tij zona toske. Pavarësisht se të dy zonat i përkasin të njejtit trung dhe etni, midis tyre shfaqen dallime dialektore dhe etnografike të dukshme. Gjithashtu, brenda këtyre dy ndarjeve të mëdha, sipas krahinave, ndonjëherë edhe lokaliteteve më të vogla, studjuesit kanë përcaktuar edhe dallime të tjera.
Krahina e Mirditës bën pjesë në ndarjen etnografike veriore apo gege, duke trashëguar kështu disa karakteristika të përgjithshme të folklorit shqiptar të zonës si në pikëpamje të muzikës së kënduar, të isntrumenteve, ashtu edhe të tipologjisë. Të gjitha këto veçori paraqiten në mënyrë më të sintetizuar në këngët rituale të dasmës. Konkretisht, kur flitet për dasmën mirditore nuk mund të anashkalohen disa faktorë të ndryshëm që kanë përcaktuar veçoritë tipologjike të saj, duke filluar nga faktorët historikë e deri tek ato gjeografikë, të cilët do mundohemi t’i përmbledhim dhe t’i paraqesim në mënyrë të përmbledhur.
Krahina e Mirditës, e cila shtrihet në veriperëndim të Shqipërisë, është një nga trevat më të lashta të vendit tonë, e kufizuar në veri me Pukën, Dibrën, Lezhën dhe Matin. Shkenca historiografike shqiptare jep një sërë faktesh të rëndësishme dhe të pakundërshtueshme për rolin e Mirditës si një prej qendrave më të rëndësishme të Mesjetës shqiptare. Mjafton të përmednim vetëm tre fakte: 1) Mirdita qe epiqendra e shtetit të parë shqiptar të Arbrit (Gëziq, shek. X); në Mirditë u mbajt Kuvendi i Lezhës, ku Skënderbeu arriti të bashkonte prijësit shqiptarë në luftën ndaj hordhive otomane; dhe po në Lezhë u varros heroi kombëtar. Le të kujtojmë gjithashtu se travat e Mirditës nuk arritën të nënshtroheshin nga pushtuesit otomanë, të cilët qëndruan për shekuj me rradhë në Shqipëri, duke importuar dhe në traditat dhe zakonet e vendit edhe elemente të kulturës së tyre orientale. Nisur nga kjo, mund të thuhet se traditat mirditore u cënuan shumë më pak prej këtij ndikimi të huaj dhe të tilla u trashëguan brez pas brezi. Këtë gjë e fakton edhe historia fetare krahinës, e cila dëshmon qartë se në Mirditë përbërja fetare katolike paraqitet homogjene, në ndryshim prej gati të gjitha trevave të tjera të banuara prej Shqiptarëve, ku popullsia e humbi homogjenitetin e vet fetar për shkak të konvertimit në masë në fenë myslimane.
 Dasma është një rit i lashtë dhe çdo popull e trajton atë sipas mënyres dhe zakoneve të tij, por sa do të ndryshme të jenë këto zakone, baza e tyre mbetet e përbashkët. Popujt e mbështesin ritin e dasmës në folklorin e tyre, i cili e shoqëron ritualin në të gjitha momentet e tij. Këto, të gjitha së bashku, e bëjnë dasmën një ngjarje të paharrueshme. Dasmat festohen në të gjithë vendin me një larmi të madhe zakonesh, kostumesh, këngësh e vallesh, të cilat shërbejnë për krijim e atmosferës festive. Dasma Mirditore është një ndër manifestimet më të veçanta të traditave të shumta e të pasura mirditore. Për të mos u largur nga tema, po paraqesim ndërtimin kronologjik të këtij rituali mirditor.
Ndryshe nga travat e tjera, ku dasmat, përgjithësisht, nisin tre ose katër ditë përpara, dasma Mirditore frillon me momentin e nisjes se krushqëve për të marrë nusen.
Faza e parë: Tek shtëpia e dhëndërrit
Në këtë fazë ndihet humori i hollë dhe gëzimi i kësaj dite të shënuar. Kjo vihet re qysh me ardhien e kafexhiut, të cilit gratë e shtëpisë i këndojnë këngën e kafexhiut:
Mirë se vjen kafexhi
Na piq kafen sheqerli
Se sheqerin e kem gani
Se na kem dugajen ne ship
Mos qit nja po qit dy
Mbushja mere barkun bardakut

Gjatë kohes që kafexhiu ka vënë punën në vijë, gratë fillojnë ta ngacmojnë përsëri duke i kënduar:
Kafexhi more dembel
je ndry brënda e nuk po del
me na pru xhezmen me kafe
po bajm gaz e po bajm llafe
Mbas kafexhiut u vjen radha desharëve. Desharet janë miqtë më të afert të familjes. Një nga dhuratat e shumta që ata sjellin në shenjë respekti dhe dashamirësie është dashi, për shkak të të cilit ata kanë marrë edhe emri desharë. Kjo dhuratë jo vetëm që është simbol mirësie, respekti por edhe një ndihmë ekonomike për familjarët, të cilët duhet t’i presin edhe me gosti miqtë e të ftuarit. Gjatë ardhjes së desharëve, gratë e shtëpisë, ashtu si në momente të ndryshme të dasmës, u dalin përpara desharëve. Të ndarë në dy grupe ato fillojnë t’u këndojnë atyre:
Kush asht ai që vjen me dash
vjen N.N bylykbash
bylykbash edhe zotni
paska teshat qepë n’terezi
cka na pruni për dhunti
pru një dash e një flori
shtoja zot tufen e tij
banja zot njëqind a nje mijë

Kështu priten të gjithë desharët që vijnë në cermoninë e dasmës. Një ndër zakonet e këtij momenti të dasmës, është se gjatë kohë që miqtë dhe të ftuarit vijnë njëri pas tjetrit, dhëndërri nuk duhet të jetë në shtëpi, por i fshehur diku gjetkë, pasi, sipas zakonit, është turp që ai të shikohet gjatë kësaj kohe.
Faza e dytë: nisja e krushqve
Faza e dytë ka të bëjë me përzgjedhjen e krushqve dhe nisjen e tyre drejt shtëpisë së nuses. Ky moment është nga më të spikaturit në të gjithë rrjedhën e dasmës. Si në të gjitha çastet e përcaktuara, as ky moment nuk kalon po u këndur nga gratë, të cilat luajnë një rol të madh në këndimin e këngëve të dasmës:
Udha e mbarë o krushku i parë
Na bje nuses fort të bardh
Udha mbarë o krushku i dytë
Na bje nusen buk të ngryjt
Udha e mbarë o krushku i tretë
Na bje nusen si je vetë
Udha e mbarë kur të shkoni
Nuses tonë ju ti thoni
Hajde shpejt se të pret sokoli
Po të pret i sokol me flet
Babë e nanë ke me i gjetë

 Në nisjen e tyre burrat e shtëpisë, në shenjë gëzimi dhe hareje, nuk e lenë pa e zbrazur një pushkë, duke respektuar kështu atë që kërkon zakoni. Krismat e pushkëve ndërthuren me këngët e grave, të cilat vazhdojnë të këndojnë deri me largimin e krushqve.

Faza e tretë: tek shtëpia e nuses
Faza e tretë e dasmës mirditore zhvendoset në shtëpinë e nuses. Edhe në këtë moment, zakonet dhe doket rrjedhin dhe festohen si tek shtepia e dhëndërrit. Ndryshojnë vetëm krushqit, pasi, siç dihet, në shtëpinë e nuses nuk ka krushq. Edhe tek nusaj vjen kafexhiu, këndohen këngë, kërcehen valle, priten miqtë dhe dashmenët, pra gëzohet njëlloj si në shtëpinë e dhëndërrit.
Ashtu si dhëndërri që rrinte fshehur, zakoni e kërkon që edhe nusja të Ntë mos shfaqet në sytë e “botës”, sidomos të burrave. Në mbrëmje vijnë krushqit, për pritjen e të cilëve i zoti i shtëpisë ka caktuar një njeri për t’u dalë përpara. Personi i caktuar me këtë detyrë duhet t’i njohi mirë zakonet e dasmës dhe t’i shoqëroje krushqit sipas traditës. Krushqit nuk duhet të hyjnë tek nusja, ata duhet ta shikojnë atë vetëm në nisje, pra në mëngjes. Më pas shtrohet sofra dhe teksa miqtë janë e pinë, i zoti i shtëpisë dhe krushku i parë dalin nga dhoma për të vazhduar zakonin, për të nxjerrë pajën e dërgur nga dhëndërri: duvakun, strenglat, opingat etj. Të gjitha këto momente shoqërohen me këngë dhe valle përkatëse.
  
  Faza katërt: kthimi i krushqve
Faza tjetër dhe e fundit është kur krushqit, së bashku me nusen, kthehen në shtëpinë e dhëndërrit. Kur afrohen pranë shtëpiusë ata nisin sihariqin, i cili duhet t’u japë lajmin i pari, që krushqit janë afer dhe që nusja po i afrohet shtëpisë. Gratë, qδ ne kete rast janë te parat që e marrin lajmin, mblidhen dhe ndahen në dy grupe që t’ia nisin këngës dhe valles së sihariqit. Një nga këngët më të spikatura është kjo e mëposhtmja:
Sihariq o ndalu n’udhe
Sa t’na vishet dhëndërri në kullë
Sihariq o ndalu n’udhë
Sa t’marrë armët dhandërri n’kullë
Dhandërr o kulmi i shtëpis
Niqe mendjen e djelmnis
Tash kij mendjen e burrënis
Sot ke hy në një tjetër vath
Mbi ty varet ajo vash

Në këtë moment të dasmes, të gjithë njerëzit e familjes, miqtë e ftuarit, dalin e presin sihariqin dhe ardhjen e nuses. Sihariqi, si lajmëtari i parë, mbasi ka kthyer dy tre gota raki dhe ka ngrënë petulla me mjaltë, ashtu siç e ka zakoni, niset t’u dalë përpara krushqve për t’u hyrë në shtëpi së bashku me ta. Çasti kur krushqit i afrohen shtëpisë nuk kalon pa krismat e pushkëve: armët shkrepen nga dhëndërri dhe miqtë. Kur vjen nusja në oborr, ashtu si në momentet e tjera, gratë fillojnë ritualin e tyre të këndimit dhe të vallës.
Nusja jonë urish si bleta
Krushkut t’parë o ju ngjat jeta
Që po vjen me duer xhepa
Tue derdh moll tue derdh sheqera

Kjo këngë përseritet disa here për të përshëndetur dhe respektuar të gjithë krushqit me radhë, te cilet rrinë ulur ne oborr duke pritur ritualin e rradhes. Ndërkohë gratë e shtëpisë merren me nusen, e cila kryen sipas zakonit të gjitha ritualet e nuserisë, duke filluar nga mbeshtetja tek muri i shtëpis dhe duke i kaluar rreth kokës se saj tri herë kularin e kalit. Më pas rituali vazhdon me derdhien e sheqerit dhe grurit përpara derës kur hyn nusja, sheqeri për të treguar ëmbëlsinë e nuses dhe gruri për të sjellë begati. Pas këtij rituali, i cili vëzhgohet nga të gjithë miqtë, të ftuarit dhe familjarët, fillojnë të shtrohen sofrat. Sofra e krushqëve është sofra e parë. Në këtë sofër, sipas zakonit krushku i parë merr çiftelin dhe ja fillon këngës.
Përmbledhje
Në tërësinë e trashigimisë sonë folkloristike, këngët e dasmes përbëjnë një nga ciklet me interesante për gjërësinë dhe vlerat e tyre estetike, për elementet social-kulturor të kultivuar ndër shekuj. Ky fakt, së bashku me pasurinë dhe variacionet e këngëve, valleve e melodive të larmishme, dëshmojnë për cilësitë e virtytshme të marrëdhënieve të banorëve të krahinës, si edhe të  temperamentit të tyre. Këngët e dasmes, në tërësinë e tyre, shprehin optimizëm për aktin e martesës, për vazhdimësin e jetës, për forcimin ekonomik të familjes. Pikërisht nga ky funksion i aktit të martesës buron karakteri shoqëror i ciklit të këngëve popullore që kanë shoqëruar ceremoni të larmishme me rite dhe me një numër të madh këngësh, që dallohen nga krahinat e tjera.
  

1 comment: