Friday, July 1, 2011

Punim Muzikologjik

Simon Gjoni
(skicë monografike)
Jeta dhe veprimtaria artistike
       
Simon Gjoni u lind në Shkodër më 12 qershor të viti 1926. Që në moshë të njomë filloi të merret me muzikë. Në fillim merr pjesë në korin e shkollës dhe në moshën 12 vjeçare luan në instrumentin e trombës, në bandën muzikore të Preng Jakoves. Në vitet e rinisë së tij, pasi studion si autodidakt teorinë dhe solfezhin, fillon përpjekjet e para të kompozimit nën drejtimin e Preng Jakovës. Në këtë periudhë, krahas krijimtarisë muzikore, ai emërohet mësues në gjimnazin e Shkodrës, dhe pas çlirimit të vendit drejton orkestrinën në Radio Shkodra. Në vitin 1945 filloi të kompozonte këngët e para dhe në vitin 1947 kishte krijuar disa këngë, duke u bërë njëkohësisht i njohur si autori i një numri këngësh lirike me tematikë aktuale dhe me mbështetje intonative në këngët popullore qytetare shkodrane. Në këtë periudhë mund të thuhet se S. Gjoni ishte i njohur po aq sa kompozitorët më të njohur që kishte Shkodra në atë kohë. Duke parë këngët e tij të botuara në albumin Këngë dhe melodi mund të përmendim disa nga hitet e asaj kohe siç janë: O vash’e bukur, teksti S. Gjoni (1945), Lule bukur sot gëzo, teksti popullor (1946), Bylbylit, teksti Z. Leka (1947), Lule borë, teksti Z.Pali (1949), Pash sytë e t’u si drita, teksti Z. Leka (1950) etj. Këto këngë u popullrizuan shumë shpejt, duke e bërë autorin e tyre menjëherë të njohur dhe duke hyrë në repertorin e aktiviteteve artistike të kohës.
Në vitet 1952-53 Simon Gjoni filloi studimet e mirëfillta muzikore, fillimisht në Konsevatorin e Pragës, në Çekosllovaki, dhe më pas, në vitet 1953-58, në Akademinë e Muzikës, po në Pragë, për dirizhim simfonik. Mbas kthimit nga studimet e larta në vitin 1958, si të gjithë muzikantet e tjerë që përfunduan studimet në vendet e ndryshme të Lindjes dhe mbartnin me vete një përgatitje të mirë artistike muzikore, dhe që për këtë arsye emëroheshin në detyra të rëndësishme në shërbim të kulturës muzikore të vendit tonë, edhe Simon Gjoni u emërua dirigjent i orkestres së TOB, ku ushtroi aktivitetin e tij deri në vitin 1963.
Në vitet 1965-68 S. Gjoni punoi si nëndrejtor i Shkollës së Mesme Artistike Jordan Misja, dhe ka qënë një nga dirigjentët e parë të orkestrës simfonike të kësaj shkolle. Direktivat e kohës, që përveç ndërtimit të socializmit në mbeshtetjen e vetë popullit duke zbatuar vijën Marksiste-Leniniste të PPSH, përfshinin edhe përhapjen e kulturës artistike muzikore në funksion të Partisë, për ta brymosur popullin nën frymen e ideologjisë së saj në të gjithë vendin. Kështu, detyrë e radhës e muzikantit Simon Gjoni ishte ajo e drejtuesit të muzikës në Fier, qytet në të cilin ai qëndroi gjatë viteve 1972-81. Pas vitit 1981 e deri në fund të jetës, ai e vazhdoi aktivitetin pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, pa lënë mbas dore edhe mësimdhënien në Insitutin e Lartë të Arteve.
       Për aktivitetin dhe meritat e tij, Simon Gjoni është nderuar me çmime, medalje dhe tituj të shumtë, mes të cilëve edhe me titullin Artist i merituar (Gazata Drita, 16 janar, 1977).

Krijimtaria muzikore
           Siç e përmendëm dhe më sipër, krijimtaria e Simon Gjonit fillon me këngët dhe përpunimet e këgëve qytetare shkodrane, të cilat përbëjnë pjesën mbizotëruese të opusit të tij krijues. Në vitet e para të çlirimit zhvillim të gjërë mori sidomos gjinia e këngës, e cila, nga pikëpamja muzikore, u zhvillua në dy drejtime: disa krijues ndoqën traditën e këngëve partizane, kurse një shumicë tjetër, midis të cilëve bën pjesë edhe S. Gjoni, u mbeshtetën në traditën popullore, duke melodi këngësh me një gamë të pasur intonative. Në këtë periudhë, S. Gjoni kompozoi një numer të madh këngësh, të cilat hynë shpejt në repertorin e këngëve shkodrane të asaj kohe. Ato u i bënë jehonë tingëlluese ndjenjave të pastra të dashurisë, por jo vetëm kaq. Siç shprehet kompozitori Tonin Harapi në një nga shkrimet e tij: Këngët e Simon Gjonit me cilesitë më të mira të kësaj gjinie, si emocion direkt, thjeshtësia e përgjithshme, aroma e këngës qytetare janë konceptuar në një mënyrë të re, jo të lidhur me këngët e ahengut por “të gjetura” me një shije prej artisti spontan…*.
Një ndër këngët më të popullarizuara të S. Gjonit, e cila i mishëron më së miri këto cilësi që përmend Harapi, është Lule bore, një këngë e njohur nga të gjithë që, me jetëgjatësinë e saj, mbetet një ndër këngët më të dashura të shqiptarëve ngado që ata janë. Sot Lule borë këndohet ashtu si në ditët e para që filloi të transmetohet në Radio-Shkodra, tamam si atëherë kur kompozitori thurri tingujt e saj, të cilët u përvehtësuan shumë shpejt prej një morie këngëtarësh, por edhe prej njerëzve të thjeshtë, duke u bërë kështu e pranishme në të gjitha skenat e muzikës popullore, në festa e gëzime familjare.
Një rol të rëndësishëm në edukimin dhe në perfeksionimin si kompozitor të Simon Gjonit luajti, padyshim, shkollimi në Konservatorin e Pragës. Gjatë viteve të studimeve ai u njoh dhe përvehtësoi disiplinat muzikore, formoi kulturën profesionale nëpërmjet thellimit në shembujt më të mire të literatures botërore. I pajisur me këto dije të reja ai kompozoi disa vepra të gjinive orkestrale e vokale, midis të cilave mund të përmendim: Dielli i së ardhmes, poemë për bariton, kor dhe orkestër 1955, Kujtime nga atdheu, poemë simfonike, 1956. Gjithësesi, periudha e tij e vërtetë krijuese nis në vitet ‘60. Brenda një dekade, nga penda e tij dolën një mori veprash të formave e gjinive të ndryshme korale, disa romanca për zë e piano, krijime instrumentale, vepra orkestrale, si ndër më të spikaturat e të cilave mund të veçohen: Pranvera jonë, odë lirike 1960, Poema e rapsodit, romnacë për zë e piano 1960, Lufton shqipja e plagosur, për tenor dhe piano 1961, tetë valle simfonike 1961-69, dy suita korale me këngë popullore myzeqare 1969 dhe Simfonia në Mib+ 1969, kjo e fundit edhe vepra e tij më madhore.
Një pjesë e mirë e veprave të Simon Gjonit janë ekzekutuar në koncerte dhe festivale të ndryshme të zhvilluara në atë kohë në vendin tonë, duke filluar nga Koncertet e Majit, koncerte të ndryshme të Orkestrës Sinfonike të RTSH, festivalet e këngës në  RTSH, festivalet e ramancave, festivalet e këngëve për fëmije etj

                Kënga Lule borë    
Siç e përmendëm dhe më sipër, një ndër këngët më të njohura të Simon Gjonit është Lule borë, e cila u bë menjëherë një këngë e dashur për të gjithë, duke u kënduar në të gjitha trojet shqiptare si prej këngëtarëve profesionistë, ashtu edhe prej njerëzve të thjeshtë. Kënga gjithashtu njohu një sërë interpretimesh edhe jashtë vendit në manifestime të ndryshme të trupave tona artistike dhe këngëtarëve lirikë. Kështu për shembull, në ish-Bashkimin Sovjetik Lule borë arriti të fitonte një njohje të tillë sa, siç kujton Avni Mula, një nga interpretuesit më pikantë të asaj kohe, rusët iu drejtoheshin studentëve shqiptarë: a.,., ju jeni nga vendi Lule bore. Me këtë rast kujtojmë se edhe e bija e A. Mulës, Inva Mulai, tashmë një divë e muzikës operistike, e ka kënduar këtë këngë me artistizëm të vërtetë në disa prej koncerteve të saj.
Për krijimin e këngës Lule borë autori u frymëzua prej një teksti të Zef Palit, vargjet e të cilit trajtojnë me thjeshtësi dhe me një frymë të ndjeshme poetike bukurinë e vajzës shkodrane, të krahasuar me lulen e borës.
                 Tuj kërkue  n’mal e n’kodër,
                 tuj prek lulet gjith me dor,
                 veç n’nji kopsht të bukur n’Shkodër,
                 ty të gjeta lule bor.
                            Je e vogel por je plot,
                            ty t’kërkoj un’ tash sa mot,
                           tash sa mot un ty t’kerkoj,
                           n’gzim me ty jetën ta çoj.
                           Eja eja lule bor’,
                           se me ty do thur kunor.
                           Eja eja lulebore
                           se me ty do thur kunor
                        Fjalët e mia deh ndigjoi
                        ma ke shtatin porsi t’zanës,
                      un prej gjumit do te zgjoj,
                     për me t’pamun n’drit të hanes.
                                       Je e vogël por je plot, etj….
                     Pash ma t’bukren stin’ pranveren,
                     pash mbretneshën drandofill,
                     mos t’ja falësh kujt ti erën
                     se për mu vetem ke çil.
                                      Je e vogel por je plot, etj.,.,.,
   
Këtyre vargjeve iu bashkangjitet një melodi me frymë lirike popullore. Kënga e ndërtuar në tanalitetin Sol- përbëhet nga tre strofa dhe refreni, i cili shërben edhe si introduksion instrumental për fillimin e saj. Ashtu si melodia, edhe ritmi 7/8 është tipik i këngëve popullore qytetare të Shkodres. Të gjithë elementet e këngës duke nisur nga shtrirja vokale, modi, ritmi, melodia i janë nënshtruar një trajtimi të “thjeshtëzuar”, duke përcaktuar kështu një popullarizim aq të madh të saj, sa shpesh herë nejrëzit e kosiderojnë thjesht si një këngë popullore. Kështu për shembull, krahasuar me këngët qytetare të Shkodrës, kënga Lule borë është e zhveshur prej kromatizmit karakteristik në melodi, prej ornamenteve tipike, si edhe prej atij lloj shtjellimi të lire apo imtprovizativ ritmik. Duke i “disiplinuar” të gjithë këta elemente, autori arriti të krijonte një këngë sa të thjeshtë, aq edhe të bukur në llojin e vet.
    
Simfonia në Mib+
Pas përvojës së fituar në fushën e muzikës orkestrale, në fund të viteve ’60 Simon Gjoni iu vu krijimit të një vepre të përmasave të mëdha, Sinfonisë në Mib+, e cila lindi në vitin 1969. Nuk ka asnjë dyshim se për një muzikant si Simon Gjoni, i cili nuk kishte kryer studime të posaçme në kompozim, një ndërmarrje e tillë ishte vërtet e guximshme. Nga ana tjetër, krijimi prej tij i një sinfonie është për t’u përshëndetur, pasi në fund të viteve ’60 muzika shqiptare nuk numëronte më shumë se tre sinfoni, Sinfoninë Nr. 1 të Çesk Zadesë, të krijuar në vitin 1956, atë të Abdulla Grimcit të vitit 1962 dhe sinfoninë e Kozma Larës të vitit 1965. Siç mund të kuptohet, autori iu përkushtua plot zell shkrimit të veprës, duke vënë në shërbim të saj tërë përvojën e tij krijuese. 
Në Sinfoninë në Mib+ Simon Gjoni trajton një përmbajtje muzikore komplekse, e cila buron nga kërkesat e vetë gjinisë. Në tërësi, sinfonia përshkohet nga situata dramatike, sidomos në kohën e saj të parë. Gjithë ndërtimi i simfonisë, figurat, karakteri dhe zhvillimi i saj nënvizon tipare të theksuara të karakterit dramatiko-lirik. Forca e mishërimit artistik, përmasat e mëdha të konceptimit simfonik, dramatizimi i kontrasteve dhe konflikteve, kënga lirike-entuziaste massive, janë disa nga tiparet më të dalluara të simfonisë. Ajo në tërësi karakterizohet nga një dinamikë aktive. Të katër kohët e sinfonisë janë të lidhura me njera-tjetrën në mënyrë organike. Figurat muzikore të veprës kalojnë gjatë këtyre kohëve në faza progresive zhvillimi.
Koha e parë krijon përshtypjen e një marshimi të forcave aktive shoqërore, ku ndeshjet ndërjet elementeve të karakterit të kundërt, dramatizojnë dhe përforcojnë kontrastet e lindura ndërmjet materialeve muzikore. Koha e dytë është e ndryshme nga koha e parë si nga karakteri i figurave muzikore, ashtu edhe nga stili i saj. Ajo shërben si një kthim mbrapa në thellësinë e historisë dhe brenda saj shfaqen njëkohësisht elemnete që lidhen me kohën III dhe IV. Koha e tretë dhe e katërt përbëjnë një bllok unik, që karakterizohet nga tingëllime të cilat i bëjnë jehonë realititit të kohës.
Në këtë simfoni është përdorur gjërësisht kontrasti si një nga parimet kryesore të zhvillimit. Kjo i ka dhënë vepres një radhë kulminacionesh, të përqendruara kryesisht në kohën e fundit të saj. Figurat kryesore të sinfonisë shquhen për karakterin epiko-heroik dhe masiv himnizues. Veç tyre, ka edhe figura të tipit lirik legjendar, që nënvizojnë plane të tjera emocionale.
Koha I. Pas një hyrje të shkurtër me karakter epiko legjendar shfaqet tema e parë, lakonike dhe e koncentruar.
          
                 Tema I
             asdf.tif
Këtu e ka burimin zhvillimi i gjithë kohës së pare, një zhvillim i cili kryhet nëpërmjet zbërthimeve të imta të materialit tematik dhe bulëzave të lidhura intonativisht me të. Tema e parë kalon në mënyrë të papërgatitur në temën e dytë dhe përfshihet e tëra nga sfera e re emocionale e kësaj të fundit. Tema e dytë si nga ana strukturore, ashtu dhe intonative, ka tiparet e një kënge lirike.
           Tema II
     ygbyubbb.tif

Midis pjesës së parashtrimit dhe asaj të përpunimit që pason, nuk ka ndonje kufi të përcaktuar. Në përpunim, i cili nis menjëherë pas shfaqjes së temës së dytë, shfaqet një tablo tjeter. Dukja e një teme të re, me ndërtim kromatik dhe me karakter kërcënues, që simbolizon pengesat dhe forcat armiqësore, krijon bazën e konfliktit dramatik. Përpunimi zhvillohet në disa faza, gjatë të cilave konflikti ndërmjet temes së parë dhe të trete sjell një radhë kulminacionesh. Kulminacioni kryesor karakterizohet nga nota të fuqishme heroike-dramatike. Dramatizmi realizohet me anë të zhvillimit polifonik dhe me përdorimin e disa linjave melodike (në fugato) të mbështetura nga një okestracion i ngjeshur e plot efekte.
Koha e dytë, Andante, është e ndërtuar në mënyrë konçize dhe e zhvillohet e tëra në sferën elegjiake-psikologjike. Ndërsa koha e parë kishte pamjen e një beteje dinamike, plot shpërthime të forta, koha  e dytë është e përqendruar dhe zhvillohet si një tregim përshkrues. Ajo nënvizohet nga një sfond i pasur harmonik dhe ngjyra të forta orkestrale. Temat e kohës së dytë, megjithëse të karakterit liriko-elegjiak, arrrijnë të paraqesin edhe momente kontrastuese, që e bëjnë bindës kalimin nga përqëndrimi i brendshëm në një plan lirik optimist. Kulminacioni i kohës së dytë bëhet në qendren e saj, ashtu si edhe në kohen e parë. Andantja është shkruar në formën tripjesëshe, ku tema e parë, e afërt me melodite rapsodike popullore, përmban emocionin kryesor të të gjithë kohes.

asdfasf.tif

 Tema e mesit është menduar si një këngë qytetare. Ajo sjell një tingëllim të ri në tonin e përqendruar dhe të thellë të kohës së dytë.
Koha e tretë, e ndërtuar në formën tripjesëshe të përbërë, përfshin disa tema-melodi, nga të cilat e para ka tiparet e një valleje masive. Episodi i pjesës së mesit shquhet për karakterin tij lirik. Në reprizë përsëritet po ajo gjëndje emocionale e pjesës së parë. Koha e tretë kalon shpejt, duke përgatitur natyrshën Finalin e sinfonisë.
Koha e katërt, apo Finali, shquhet për theksin e fortë dhe gjallërinë depërtuese. Në materialin melodik të saj takohen elementet e vrojtuar më sipër, prej kohëve të tjera të veprës. Kështu për shembull, tema udhëheqëse e refrenit ka tiparet e një këngë masive dinamike.

              Tema IV     
       asdfasdfasdfasf.tif
Koha IV është shkruar në formën rondo-sonatë dhe zhvillohet në një temp të shpejt, që përcakton karakterin e vrullshëm të saj. Mbyllja (koda) shërben si një konkluzion jo vetëm për kohen e katërt, por për të gjithë simfoninë. Ajo është një himn solem për realitetin e ri.

Aktiviteti dirizhorial dhe publicistika
Krahas krijimtarisë muzikore, veprimtaria artistike e Simon Gjonit përfshin aktivitetin e tij si dirigjent dhe publicist, të cilët luajn një rol jo pak të rëndësishëm në jetën e biografinë e tij artistike. Simon Gjoni filloi të merrej me dirigjim gjatë viteve të fundit të shkollimit në Pragë ku, midis të tjerash, drejtoi vepra të tilla si Rozamunda nga F. Shubert, suitën Peer Gynt të E. Grigut, Pygmalion-in e I. Bendës, poemën simfonike Le preludes të F. Listit. Me t’u kthyer në atdhe, i sapodiplomuari do të përballej me vështirësi dhe sfida të reja profesionale. Detyra e dirigjentit të TOB kërkonte jo vetëm njohjen e repertorit muzikor skenik, por edhe aftësinë për të drejtuar dhe bashkërnduar formacione të mëdha muzikore, si orkestra, kori dhe solistët (në rastin e gjinisë së operës). Kësaj përgjigjësie të lartë artistike që ju besua, Simon Gjoni iu përkushtua me gjithë pasionin dhe mundësitë e tij profesionale të fituara gjatë viteve të shkollimit, por edhe përmes përpjekjeve për thellimin e profesionalizmit muzikor. Në veprimtarinë e tij në Teatrin e Operës dhe Baletit, Simon Gjoni, siç thonë bashkëkohësit, u dallua për kritere të qarta profesionale të trajtimit të orkestrës dhe të funksioneve të saj në veprat skenike, duke qenë krejtësisht i vetëdijshëm se parti i orkestrës përbën bazën e mbështetjes dhe zhvillimit të veprimit skenik të këngëtareve solistë dhe korit.
Nga informacioni që jep Zamir Këlliçi në botimin e tij Operistika, mësojmë se S. Gjoni ka dirigjuar premierat e katër operave dhe tre baleteve në TOB. Këto janë operat Don Paskuale, Donixeti, 1959; Berberi i Seviljes, Rosini,1959; Pranvera, T. Daija, 1960; Paliacot, Leonkavalo, 1962; si dhe baletet Lola, Vasiljenko, 1958; Laurencia, Krejn, 1961; Francesca da Rimini, Çajkovskij, 1962. Siç mund të kuptohet, në një hark kohor prej katër vitesh realizimi i shtatë premierave në një institucion qendror artistik si TOB, nuk është kurrësesi pak për një muzikant të ri të sapodalë nga bankat e shkollës. Për më tepër, gjithësecila prej veprave të përmendura paraqet kërkesa të një niveli të lartë profesional dhe artistik.
Veprimtaria dirizhoriale e S. Gjonit në TOB mbyllet në vitin 1962, kur atij iu caktua një detyrë e re, ajo e dirigjentit të Orkestrës Sinfonike të RTSH, e krijuar po atë vit. Si drejtues i një formacioni të madh sinfonik, Simon Gjoni do ta përqendronte përkushtimin e tij kryesisht në repertorin e muzikës sinfonike dhe orkestrale, në specifikat e punës me orkestrën, si edhe në angazhimet e ndryshme artistike që kishte (sikudër ka edhe sot) orkestra e RTSH.
Duke gërmuar në arkivin e radio-televizionit dhe duke biseduar me dirigjentë të ndryshëm si Rifat Teqja etj, mund të dalim në përfundimin se Simon Gjoni në RTSH ka dirigjuar këto vepra: Simfonitë nr 7 dhe 8 të L. van Bethovenit, uverturën Endërr e një nate vere të  Mendelsonit, uverturën e operës Gjahtari magjik të Veber dhe uverturën e operës Norma të  Belinit. Në të njëjtën kohë, veprimtaria dirizhoriale e S. Gjonit plotësohet me koncerte apo festivale të ndryshme, siç janë Koncertet e Majit dhe festivalet e këngës në RTSH.
Por, mesa duket, nuk ishte e thënë që Simon Gjoni të ngulte rrënjë shumë kohë në një vend. Vetëm pas tri viteve të punës i dirigjent i Orkestrës Sinfonike të RTSH, ai u transferua sërish, këtë radhë në një terren krejtësisht tjetër: më 1965 u emërua zëvendës drejtor i Shkollës së Mesme Artistike Jordan Misja. Gjatë tre viteve të punës në Lice, S. Gjoni dëshmoi aftësi të vërteta organizative, pedagogjike, si edhe kërkesa të larta për ngritjen e nivelit profesional, pedagogjik dhe aritistik të një shkolle ku sektori i muzikës është dominues. Kështu për shembull, me iniciativën dhe me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të tij, në Lice u hap fonoteka dhe u vendos në programet mësimore lënda e dëgjimit muzikor. Por, duke qenë dirigjent për nga profesioni, ai mori në dorë menjëherë drejtimin e orkestrës. Me këtë rast përmendim se deri në atë kohë Liceu nuk kishte patur asnjëherë një dirigjent fiks të orkestrës, gjë e cila, në një mënyrë apo një tjetër, ndikonte edhe në drejtim të punës së disiplinuar. Në këto kushte, Simon Gjoni luajti padyshim një rol të rë ndësishëm jo vetëm për disiplinimin e punës artistike të orkestrës, por edhe për hartimin e programit mësimor dhe atij koncertal.    
Në vitin 1972, S. Gjonit i vjen një emërim tjetër, tashmë jashtë kryeqytetit, si drejtues artistik i shtëpisë së kulturës së qytetit të Fierit. Largimi disavjeçar (deri më 1981) nga Tirana ishte për të edhe një largim nga jeta aktive artistike. Siç kemi përmendur më sipër, detyra tjetër e radhës e Simon Gjonit do të ishte në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Këtu merr jetë edhe aktiviteti i tij i dendur publiçistik, pavarësisht shkrimeve që takohen edhe gjatë viteve të mëparshme.
Jo rastësisht Simon Gjoni ka një publiçistikë të pasur. Midis të tjerrash, kjo erdhi si pasojë e punësimti të tij në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve që, në atë kohë, nxirrte dy organe shtypi, gazetën Drita dhe revistën Nëntori, të cilat pasqyronin ngjarjet artistike të vendit, si edhe aktivitetin e vetë Lidhjes. Për këtë arsye, pjesa më e madhe e shkrimeve të S. Gjonit gjenden pikërisht në këto dy organe shtypi. Ndërsa pjesa tjetër e shkrimeve të tij, me një numër më të vogel, ndodhet në gazetat Zëri Popullit, Mësuesi, Zëri i Rinisë, Bashkimi dhe në revistat Skena dhe Ekrani, Ushëtima e maleve, Bota e fëmijeve etj.
Publiçistika kështu zuri një vend të rëndësishëm në biografinë e tij personale. Artikujt e shkruar prej Simon përbëjnë një biblografi të pasur mbi realitetet muzikore të viteve 1970-80, pasi aty pasqyrohet krijimtaria dhe aktiviteti muzikor i kohës. Shkrimet e S. Gjonit, nga pikëpamja e formës publicistike, përfshijnë të gjitha zhanret e llojit: analizën (analiza veprash, premiersh të reja etj), komentin (për aktivitete të ndryshme), si edhe informacionin përmes kronikave mbi ngjarjet muzikore kryesore të atyre viteve. Autori jo vetëm që e pasqyroi këto realitet në drejtimet e lartpërmendura, por edhe mbajti qëndrime kritike për vepra apo dukuri të caktuara.
Siç u përmend edhe më sipër, publiçistika e Gjonit shtrihet në disa drejtime, midis të cilave, një pjesë e mire e shkrimeve i kushtohen veprave dhe autoreve të vaçantë. Ndër to mund të permendim: Rikard Vagner, rev. Ylli, 1973; Zhuzepe Verdi, me rastin e 100 vjetorit të lindjes, gaz. Drita, 7 Tetor 1973; Dhëndri u transferua, shënime për operetën dhe spektaklin, gaz. Drita, 19 maj 1974; Autor i këngëve të realizuara, kompozitorit Apostol Simoni; gaz. Drita, 3 Shkurt, 1984 etj.
Një kategori tjetër e shkrimeve publicistike të Simon Gjonit është ajo që i kushtohet aktivitetit artistik në shkallë vendi, si festivaleve të ndryshme (Festivalet folklorike kombëtare, Festivalet e këngës në RTSH, ato të këngës për fëmijë etj), turneve dhe shfaqjeve të ansambleve të ndryshme, shqiptare apo të huaja, brenda ose jashtë vendit, prej të cilave veçojmë: Kënga për fëmijë e një festivali, Mbi festivalin e 11 të këngës për fatosa e pionierë, gaz. Drita, 11 Qershor 1973; Festivali i këngës në R.T, Sukses i ri i muzikës sonë kombëtare, rev. Nëntori, 1974; Ç’tregoi festivali i 16 kombëtar i këngës në R.T, gaz. Drita, 8 Janar 1978; Kënga e fëmijëve të tanë, Rreth festivalit të 23-të kombëtar të këngës për fatosa e pionierë, të organizuar në Shkodër,  gaz. Zëri i popullit, 9 Qershor, 1985 etj.
Në shkrimet e tij, apo më saktë në disa prej tyre, Simon Gjoni, duke trajtuar problematike të caktuara të jetës dhe aktivitetit muzikor, nuk mungon të mbajë edhe qëndrime kritike rreth tyre. Sidomos në këtë kategori shkrimesh, vërehet qartë një politizim disa here i skajshëm i mendimit teorik të autorit, çka imponohej prej vetë ideologjizimit të jetës shoqërore dhe artristike të periudhë komuniste. Kështu, në shkrimet e Gjonit, edhe pse nuk mungojnë analizat dhe komentet profesionale, ato shpesh janë të ngarkuara me një frazologji tejet të ideoligjizuar, që në ndonjë rast paraqitet e panevojshme dhe mund të evitohej.
Krahas shkrimeve të shumta publicistike, Simon Gjoni është edhe autori i një libri për orkestracionin, të titulluar Instrumentet dhe Arti i Orkestrimit, i cili e pa dritën e botimit shumë vite më vonë, pas vdekjes së autorit (SHB Toena, Tiranë 2003).     

Lista e veprve kryesore muzikore të Simon Gjonit

Këngë
O vash’e bukur, teksti S.Gjoni, 1945
Molla dhe djali, teksti popullor, 1945
Lule bukur sot gëzo, teksti popullor, 1946
Drandofille vashë, teksti popullor, 1946
Bylbylit, teksti Z.Leka, 1947
Lule borë, teksti Zef Pali, 1949
Vijnë dasmorët, teksti popullor, 1949
Nana e baba po m’bertasin, teksti, popullor, 1949
Kroni e fyelli, teskti S.Gera, 1949
Nana e çika, teksti S.Gera, 1949
Pse na ndanë, o zemer, teksti J.Ndreca, 1949
Fyelli, 1949
Pashë syte e t’u si drita, teksti Z.Leka, 1949
Sy larushës, teskti G.Shehi, 1950
Moj shkodrane, teksti Z.Leka, 1950
Besa e thyme, teksti G.Shehi, 1950
End o vashë, ti end përhera, teksti Dh.Shuteriqi, 1950
E vogel kam qëllue, teksti A. Banushi
Porsi hana, teksti A. Banushi, 1959
Moj sy shkrume, teksti A. Banushi, 1959
Vashëzo, 1959
Lule zambakut, teksti S.Gjoni, 1959
Vetëm për ty, teksti A.Banushi, 1959
Shkon e vjen porsi flutur, teksti Z. Lekaj, 1963
Te liqeni, 1966
Pranverës, teksti me motive nga Asdreni, 1966
Dalin zanat, teksti S.Temali, 1966
Vajz e vogël, teksti popullor, 1974
Bashkë në shetisim, teksti M.Kureta, 1974
O kjo anë e lumit, teksti me motive popullore, 1975

Romanca për zë dhe piano
Vajza dhe liqeni, 1946. 
Shoqe kemi hënën, 1949
Balladë, teksti H.Minarolli, 1960
O toka nanë, teksti A.Banushi, 1961
O bjeshk o male, teksti Xh. Boja, 1961
I fola vales, teksti M. Cukallo, 1961
Poema e rapsodit, teksti A. Banushi, 1961
Bjeshkëzo, teksti Z. Sako, 1961
Premtimi, teksti S. Rusi, 1964
 Erdhi pranvera, teksti S. Mato, 1968
Mos mbaj meri, 1974
Nina nana, teksti Ll. Ruci, 1974
Jemi shqipe, 1974

Muzikë për kor, solist dhe orkestër
Dielli i së ardhmes, poemë për baritone, kor dhe orkestër, 1955
Pranvera jonë, odë lirike, 1960
Të falem Republikë, kantatë, 1963
Kënga e jetës, kantatë, 1964
Ja vdekje ja liri, tabllo muzikore, 1964
Këndon Myzeqeja, kantatë, 1968
Korale Myzeqare, suitë, 1969
Jeho këngë, kantatë, 1974
Vepra instrumentale
Meditacion për piano, 1965
Poemë polifonike për piano, 1965
Elegji për piano, 1965
Katër  prelude për piano, 1966
12 pjesë për piano, 1975
Skerco për piano, 1975
Koncert për klarinetë dhe orkestër, 1980
Lirikë pranverore për piano, 1985
Pjesë për violin dhe orkestër harqesh, 1988
Vepra orkestrale
Kujtime nga Atdheu, poemë simfonike, 1956
Uverturë dhe tre skica orkestrale, 1961
Kater valle simfonike, 1961-69
Elegji në sol minor, 1965
Meditacion dhe Eklogë polifonike, 1965
Simfonia në Sib mazhor, 1971
Kater valle simfonike shqiptare, 1974-81
Shqipëria feston, suitë simfonike, 1981
Perse mendohen këto male, poemë simfonike, 1985
Sinfonia në Mib +, 1971
                                            

 Shkrimet publicistike

Puçini në skenën tonë, Kritikë për shfaqjen e Madam Baterflai; rev. Ylli, 1961
Halili dhe Hajria, Një shfaqje me dinjitet të lartë artistik; gaz. Zëri Popullit, 22 Janar 1963
Për përsosjen e stilit. Nga diskutimi në plenumin e lidhjes për muzikën; rev Nëntori, 30 Korrik 1972
Takimi i parë i orkestrave simfonike amatore; rev. Nëntori, 1972
Rikard Vagner; rev. Ylli, 1973
Kënga në estradat tona, rev. Nëntori, 1973
Kënga për fëmijë e një festivali, Mbi festivalin e 11 të këngës për fatosa e pionierë; gaz. Drita, 11 Qershor 1973
Disa probleme të këngës për fatosa e pionierë, rev. Bota e fëmijeve, 15 Korrik 1973
Për një këngë me përmbjatje të shëndoshë e komunikuese, gaz. Drita, 15 Korrik 1973
Të ruajmë të pastër muzikën tone, rev. Nëntori 1973
Zhuzepe Verdi, Me rastin e 100 vjetorit të lindjes; gaz. Drita, 7 Tetor 1973
Kompozitoret dhe krijimtaria popullore, Mbi festivalin folklorik shqiptar; gaz Drita, 11 Nëntor 1973
Festivali i këngës në R.T, Sukses i ri i muzikës sonë kombëtare; gaz. Nëntori, 1974
Krijime të bukura të mbështetura në këngën popullore, Mbi festivalin e këngës së re popullore; gaz. Drita, 14 Prill 1974
Dhëndri u transferua, Shënime për operetën dhe spektaklin; gaz. Drita, 19 maj 1974
Gjëndja dhe problemet e këngës sonë në frymën e plenumit të IV të K.Q të P. P. Sh, Raport i mbajtur në plenumin e komitetit drejtues të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të vendit; gaz. Nëntori, 1974
Manifestim i madh i krijimtarisë së masave punonjëse, Mbi festivalin kombëtar të ansambleve artsitike amatore në Durrës; gaz. Nëntori, 1974
Tingëllim heroik i viteve të luftes, Mbi operën Komisari; gaz. Nëntori, 1975
Koreografia dhe aktualiteti, gaz. Drita, 28 shtator 1975
Krijimtaria militante e një kompozitori komunist, Enver Mara; gaz. Drita, 30 Nëntor 1975
Arritje dhe probleme të koreografisë sonë, gaz. Zëri Popullit, 21 Dhjetor 1975
Këngë të frymëzuara nga realiteti ynë socialist, Mbi festivalin e 14 të këngës në R.T; gaz. Drita, 25 Janar 1976
Këngë që burojnë nga zemra e femijëve tanë, shënime për festivalin e këngës popullore; gaz. Zëri i Rinisë, 1 Prill 1976
Këngë të frymëzuara nga jeta jonë, gaz. Drita, 11 Prill 1976
Drejt thellimt të karakterit kombëtar e tingëllimit popullor, gaz. Drita, 9 Maj 1976
Mbështetja në tabanin shqiptar, Shënime për festivalin e këngës popullore; rev. Ylli, 1976
Mbi disa probleme të koreografisë dhe kostumeve popullore, gaz. Drita, 15 Gusht 1976
Deformimet moderniste në muzikën e sotme borgjeze-revizioniste, rev. Albania Today, 1977
Tonet epike, një nga tiparet më të qënësishme të muzikës dhe koreografis sonë; gaz. Zëri i popullit, 29 Maj 1977
Tri aspekte nga koncertet e majt, gaz. Zëri popullit, 26 Qërshor 1977
Ç’tregoi festivali i 16 kombëtar i këngës në R.T, gaz. Drita, 8 Janar 1978
Një traditë e mirë për zhvillimin e mëtejshëm të këngës për fëmijë, gaz. Drita, 19 Mars 1978
Arritje të reja të këngës për fëmijë, mbi festivalin e 16 kombëtar të këngës për fatosa e pionierë; gaz. Zëri popullit, 28 Maj 1978
Mbi dramaturgjinë e valleve, Nga dy diskutime krijuese; gaz. Drita 23 Korrik 1978
Diskutim krijues për operan “Goca e Kaçanikut” e kompozitorit nga Kosova R. Dhomi, gaz. Drita, 19 Nëntor 1978
C’farë doli nga diskutimi krijues, Mbi festivalin e 17 të këngës në R.T; gaz. Drita, 25 Shkurt 1979
Këngë që shprehin heroizëm dhe bukurinë e jetës sonë, Mbi festivalin e 17 të këngës për fëmijë në R.T; rev. Nëntori, 1979
Suksesi i merituar i artistëve nga Kosova, rev. Nëntori, 1979
Një manifestim i ri i këngës sonë, Mbi festivalin e këngës popullore të organizuar nga ansambli i këngëve e valleve popullore në kuadrin e 35 vjetorit të çlirimit të atdheut; gaz. Drita, 7 Nëntor 1979
Triumfi i së resë në një vepër koreografike, Mbi baletin Cuca e Maleve; rev. Nëntori, 9 Dhjetor, 1979
 Në ekzekutimin e intrepretimit thellohet karakteri kombëtare popullorë, gaz. Zëri Popullit, 13 Prill, 1980
Për një propagandim me thrytdhënës të muzikës sonë skenike, gaz. Zëri Poppulit, 22 Qërshor, 1980
Krijimtari e pasur popullore, interpretuar në nivel artistik, Shënime mbi koncertet e artisteve popullorë finlandezë; gaz. Drita, 15 Qërshor, 1980 
Pasurimi i muzikës vokale dhe synime për harmonizimin e gjinive, Në vazhdim të diskutimit për Koncertet e Majit; gaz. Drita, 22 Qershor, 1980
Muzika Sovjetike në shërbim të borgjezisë së re, gaz. Drita, 31 Gusht, 1980
Interpretim me kulturë e nivel artistik, Koncertet e grupit popullor të R.T të Prishtinës; gaz. Drita, 26 Tetor, 1980
Këngë e valle të bukura nga gurra popullore, Mbi koncertet e ansamblit folklorik “Boshka Strugar” i qytetit të Ulqinit; gaz. Bashkimi, 9 Nëntor, 1980
Këngë të bukura optimiste militante, Mbi festivalin e 19 të këngës në R.T; gaz. Zëri Popullit, 10 janar, 1981
Opera dhe baleti në Shqipëri, rev. Les letters Albanieses, 1981
Ngjarje e jetës artistike, Disa mendime rreth takimit kombëtar të instrumentistëve dhe këngetarëve; gaz. Drita, 1 shkurt, 1981
Mbi rrugët e zhvillimit të këngës sonë, Konsultë kushtuar problemeve të këngës shqiptare; rev. Nëntori, 1981
Festivali për fatosa e pionierë në rrethe, gaz. Drita, 27 Maj, 1981
Të ngremë më lart nivelin e ekzekutimit dhe interpretimit të muzikës e koreografisë sonë, rev. Nëntori, 1981
Në rrugën e arritjeve të gjinive të mëdha muzikore, gaz. Drita, 2 Gusht, 1981
Intrepretim me mjeshtri dhe pasion, Mbresa nga koncertet e ansamblit artistik grek; gaz. Drita, 30 Gusht, 1981
Manifestim i gjërë i artit tonë muzikor e koreografik, Mbi koncertet e Maijt; rev. Nëntori, 1981
Art i pasur muzikor që la mbresa të ngrohta, Koncertet e grupit artistik të R.T. turk; gaz. Drita, 4 Tetor, 1981
Të zhvillojmë më tej këngën tonë të re, Mendime mbi festivalin e 20 të këngës në R.T; rev. Nëntori, 1982
Interpretim i ngrohtë e emocional, Koncert i Orkestres Simfonike të  R.T nën drejtimin e dirigjentit suedez, Hans Johem Rips; gaz. Drita, 2 Maj, 1982
Lidhje me jetën, por edhe gjuhën e goditur artistike, gaz. Zëri i Popullit, 16 Maj, 1982
Valle popullore franceze në skenën tonë, gaz. Zëri i Popullit, 20 Qershor, 1982
Rritje cilësore e artit muzikor koreografik, Koncertet e Maijt; rev. Nëntori, Nr 8, 1982
Muzika pjesë orgnike e përmbajtjes së filmit, rev. Skena dhe ekrani, 1983, nr.1
Të rinj shumë të afirmuar pak, Duke vlerësuar takimin kombëtar të këngëtarve të rinj, anëtarë të klasës punëtore; gaz. Zëri i Popullit, 8 maj, 1983
Zhvillim më harmonik i gjinive dhe i zhanreve, gaz. Zëri i Popullit, 24 Korrik, 1983
Masivitet por edhe formacione të vogla në skenë, Ansamblet artistike amtore; gaz. Zëri i Popullit, 7 Gusht, 1983
Larmi motivesh e ngjyrash, Koncerte të ansamblit artistik amator të provincës së Santanise, Francë; gaz. Drita, 7 gusht 1983.
Dëshmi e thesarit të paçmuar të artit tonë popullor, Shënime për festivalin folklorik në Gjirokastër; rev. Ushëtima e maleve, 26 Tetor, 1983
Këngë të frymëzuara nga jeta jonë socialiste, Shënime për festivalin e 22 të këngës në R.T; gaz. Mësuesi, 4 janar 1984
Autor i këngëve të realizuara, Kompozitorit Apostol Simoni; gaz. Drita, 3 Shkurt, 1984
Vepra muzikore dhe interpretimi i saj, Nga takimi kombëtar i këngëtarëve lirik; rev. Skena dhe ekrani, 1984
Arti mbijeton kur pasqyron jetën e popullit dhe frymëzohet nga kultura e tij, Në 100 vjetorin e vdekjes së B. Smetanës, kompozitor i shquar çek; gaz. Zëri i Popullit, 6 maj 1984
Interpretim me nivel i këngëve dhe i valleve greke, Nga koncertet e ansamblit grek në vendin tonë; gaz. Zëri i Popullit, 1984
Opera “Borana” dhe realizuesit e saj, rev. Skena dhe ekrani, 1984
Me rritje cilësore ideoartistike, gaz. Drita, 14 Tetor 1984
Këngë të bukuar dhe të frymëzuara, Shënime për festivalin e 23 të këngës në R.T; gaz. Mësuesi, 9 Janar, 1985
Kënga e fëmijëve të tanë, Rreth festivalit të 23-të kombëtar të këngës për fatosa e pionierë, të organizuar në Shkodër;  gaz.  Zëri i popullit, 9 Qershor, 1985
Sukses i merituar i artsitëve nga Turqia nëpër skenat dhe ekranet tona, Nga shfaqjet e operave “Traviata dhe Berberi i Seviljes” të interpretuar nga artistët turq; gaz. Zëri i popullit, 30 Tetor, 1985




                                                             











Bibliografi

  • Historia e Muzikës Shqiptare, vol I, II, tekst i ILA me bashkëautorë, SHBLU, Tiranë, 1986
  • Operistika, autori Zamir Këlliçi, botimet Globus R, 2008
  •  Instrumentat dhe Arti i Rrkestrimit,autori, Simon Gjoni, botimet Toena,2001

Për këtë punim është shfrytëzuar një pjesë e mirë e fondit arkivor personal të familjes Gjoni, arkivi i RTSH, si dhe ai i TOB. Janë intervistuar gjithashtu bashkëkohës së S. Gjonit, Rifat Teqja dhe Tonin Daija.

No comments:

Post a Comment